Foto: ZKM

Kurti për projektligjin për paga: Nuk është i saktë ai që është publikuar

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se drafti i projektligjit për paga i publikuar në media, nuk është i saktë.

Sipas tij, aktualisht po punohet dhe së shpejti i njëjti do të jetë i qasshëm për publikun.

Ndërsa, komentoi edhe pagën e pozitës së kryeministrit të vendit.

“Së pari unë nuk e kam zvogëluar pagën por e kam përgjysmuar dhe së dyti unë nuk e kam përgjysmuar por ai para meje e ka dyfishuar”, tha Kurti në emisionin “Prime” në RTK.

Kurti, tutje tha se deri më tani kanë mund të publikohen “copëza nga draftet e më hershme të projektligjit për paga”.

“Unë i kisha lutur qytetarët por edhe ata të cilët ndikojnë në opinionin publik që të mos bazohen në informacionet e pa verifikuara”, u shpreh kryeministri.

“Nuk bëhet fjalë as për përcaktim monetar të koeficientit as për koeficiente të saktë andaj le ta presim draftin final. Atëherë do ta them edhe unë fjalën time si kryeministër se çfarë mendoj. Unë nuk e di se cili draft është i saktë por unë e di që nuk është i saktë ai që është publikuar dhe e di që ka pasur drafte preliminare gjatë diskutimeve”, deklaroi ai.