Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Kurti për "padinë e paralajmëruar" ndaj Serbisë: Përgatitjet po i zhvillojmë jashtë syve të publikut
Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të ndajë detaje rreth “padisë së paralajmëruar” ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, me arsyetimin se kjo çështje është konfidenciale.
Pas një vizite në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, më 11.11.2024, ai ka thënë se janë të detyruar që “përgatitjet [rreth padisë] t’i zhvillojnë jashtë syve të publikut”.
“Në kuptimin e përmbajtjes nuk mund të flas meqenëse këto përgatitje përfundohen në konfidencialitet, sepse kemi të bëjmë me një shtet armiqësor ndaj nesh, që nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan të fabrikuara”- tha Kurti në një deklarim për media.
Para se të vinte në pushtet, ai kishte deklaruar se Kosova synon të padisë Serbinë për gjenocid, për periudhën e luftës së fundit në shtet.
Në vitin 2021, Kurti kishte deklaruar se do të ngrisin një padi të tillë ndaj Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
Kurti, pasi vizitoi Institutin, dhe takoi drejtorin e këtij institucioni, tha se ekzistojnë 67 burime prej ku janë marrë dokumentacionet që gjenden në Institut.
“Nëse do të thuhej se sa ka material, do ishte 189 metra gjatësi në këmbë me foldera, apo thënë ndryshe 15.8 terrabajt informacion është grumbulluar gjatë 9 muajve, ku përfshihen video-xhirime, fotografi, audio-xhirime e tekste të ndryshme”, theksoi Kurti.
Kryeministri tha se është bërë punë jetike dhe vendimtare si për historinë ashtu edhe për drejtësinë.
Bashkë me të në vizitë në Institut ishin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Kryeministri Kurti edhe më herët gjatë këtij viti ka deklaruar se autoritetet po përgatiten që Serbia të akuzohet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kurti i pati kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të punojë maksimalisht që personat përgjegjës për krime gjatë luftës, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen penalisht dhe të dënohen.
“Edhe Ministria e Drejtësisë edhe këshilltarët e mi ligjorë, edhe me ekspertët ndërkombëtarë, janë duke bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime luftime, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, tha Kurti gjatë homazheve në Drenas, më 30 mars 2024.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, u akuzua për krime të luftës nga Tribunali i Hagës. Procesi ndaj tij nuk përfundoi për shkak se Millosheviq kreu vetëvrasje.
Milan Milutinoviq, ish-presidenti i Serbisë, u lirua nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Nikola Sainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, u dënua me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniç, ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vladimir Lazareviç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Lukiç, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, u dënua me 20 vjet burg edhe për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.