Foto: Zyra e Kryeministrit
Kurti për objektin e ri të Gjykatës në Gjakovë: Epokë e re për drejtësinë
Në Gjakovë është përuruar objekti i ri i Gjykatës Themelore, ceremoni në të cilën morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kurti tha se kjo ndërtesë ka nisur në vitin 2015, mirëpo është zvarritur tepër gjatë.
“Në këto tri vite kemi punuar me shumë zell, me investime afër dy milionë euro dhe ja e përuruam më në fund këtë ndërtesë që shënon një epokë të re për drejtësinë në rajonin e Gjakovës dhe sigurisht që u themi punë të mbarë e gëzuar gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesionist, stafit këtu në përgjithësi në Gjykatën Themelore të Gjakovës dhe të gjithë qytetarëve”- tha Kurti gjatë përurimit të objektit më 16.08.2024.
Kurti tha se qytetarët e Gjakovës do të kenë vendin edhe për të drejtat e tyre por edhe për drejtësi për çfarëdo që mund t’i ketë ndodhur ashtu që ndërtesa e re të shënoj një besim të ri në gjyqësorin e Kosovës nëpërmjet efikasitetit dhe integritetit që tashmë i ka kushtet e mira fizike të punës.
“Ndriçimi është shumë i përshtatshëm për punë, pajisjet janë moderne, kushtet janë të dinjitetshme dhe padyshim që ky është një lajm shumë i mirë si për punëtorët e Gjykatës Themelore, gjithashtu edhe për qytetarët e rajonit të Gjakovës”- tha Kurti.
Ndërtesa e re e 31 gjyqtarëve, tha kryeministri, do të shënojë një besim të ri në gjyqësorin e Kosovës nëpërmjet efikasitetit, integritetit dhe kushteve të mira fizike të punës.