Kurti: Për Masakrën e Reçakut janë lëshuar 18 fletëarreste ndërkombëtare

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar 18 fletë arreste ndërkombëtare për 18 serbë të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në Masakrën e Reçakut.

Këtë deklaratë Kurti e dha në ceremoninë e cila u mbajt sot për shënimin e 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut ku u vranë dhjetëra shqiptarë civil në mesin e tyre, fëmijë gra e të moshuar.

“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona, serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut”- tha Kurti sot.

Tutje ai shtoi se ata të cilët mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë që të përsëritet një gjë e tillë.

“Një krim kundër njerzimit dhe gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Recak më 15 janar nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”- shtoi Kurti.

Në ceremoninë përkujtimore të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kurti përmendi kohën kur masakra u transmetua edhe nëpër mediat botërore në atë kohë.

“Populli shqiptar do të jetë shumë mirënjohës ambasadorit Walker që në një kohë kur kishte pak zëra që flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë, jo vetëm thjesht me gjuhë diplomatike por sidomos me gjuhen e një humanizmi”- tha Kurti gjatë ceremonisë.

Ai tutje përmendi edhe kohën kur, Vuçiq e Daçiq mohuan masakrën e Reçakut duke e quajtur falsifikim dhe fabrikim.

“Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë i cili atëbotë ishte ministër i informatave, pra vetëm para 3 viteve ky president ka deklaruar se Masakra e Reçakut është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ai që ishte zëvendës president i partisë së gruas së Millosheviqit dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, e sot shef i inteligjencës së shtetit Serb, më 10.12.2021 në ditën e të drejtave universale ndërkombëtare të njeriut, e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”- shtoi Kryeministri Kurti.