Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Kurti për marrëveshjen e Ohrit: Po presim nga Serbia ta zbatojë edhe pa e nënshkruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për implementimin e marrëveshjes së dakorduar në Ohër, ka thënë se pret që Serbia ta zbatojë marrëveshjen edhe pa e nënshkruar atë.

Kurti ka thënë se Serbia është dakorduar që ta zbatojë.

Sipas tij, fakti që mungon nënshkrimi nga ana e Serbisë tregon “se kush është Beogradi”.

“Serbia është dakorduar që do ta zbatojë. Ne po presim që ta zbatojë edhe pa e nënshkruar. Presidenti i Serbisë ka konsideruar që ka marrëveshje, ndërmjetësit kanë thënë se ka marrëveshje, unë po them se ka marrëveshje. Fakti që mungon nënshkrimi flet se kush është Beogradi zyrtar, jo nëse ka apo s’ka marrëveshje. Marrëveshje ka”- ka thënë Kurti.

Kryeministri tutje ka thënë se gjithçka sa i përket kësaj marrëveshjeje është brenda kushtetutshmërisë.

Ai ka thënë se është i gatshëm ta pranojë vendimin e Kuvendit nëse konsiderohet se ka nevojë për një vendim të tillë.

“Gjithçka është brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe ne jemi të gatshëm sa herë të jetë e nevojshme të shkojmë në Kuvend, ta diskutojmë, të dëgjojmë sugjerime dhe kritika dhe nëse konsiderohet nga Kuvendi, që është institucioni më i lartë e të cilit unë nuk mund t’i sipërvendosim, se ka nevojë për një vendim të Kuvendit unë jam i gatshëm. Por i takon Kuvendit që ta bëjë thirrjen për këtë. Ne i kthehemi e i rikthehemi aty, nuk ka kurrfarë problemi”- ka thënë Kurti.

Kryeministri i vendit edhe një herë ka përsëritur se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht.

“Duhet të zbatohet plotësisht dhe nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm dhe as zbatim të njëanshëm. Gjithçka duhet të jetë bilaterale”- ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se pret të zhvillohet takimi i negociatorëve që më pas të pësojë zbatimi i marrëveshjes.

Bashkimi Evropian dje konfirmoi se kryenegociatorët do të takohen javën e ardhshme në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian për të diskutuar për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se në ditët në vijim, institucionet e BE-së do të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (udhëheqësit e të 27 shteteve anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”- tha Stano.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.