Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media, 2 shkurt 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti për marrëveshjen e energjisë: Po e ndalim një gjakderdhje financiare të 20 viteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në mbledhjen e Qeverisë pas marrëveshjes së djeshme në Bruksel në lidhje me energjinë elektrike e komunave në veri të Kosovës.

Sipas Kurtit, Qeveria tashmë ka ndalur gjakderdhjen financiare e cila kishte vazhduar për 20 vjet.

Kurti gjithashtu tha se Kosovës me këtë marrëveshje do t’i kursehen dhjetëra miliona euro të cilat janë paguar më herët nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Pas më shumë se 20 vitesh, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit. Katër komunat në veriun e Kosovës, do të kalojnë në një rend të rregullt të furnizimit, faturimit dhe inkasimit të pagesave për konsumin e energjisë elektrike, në bazë të sistemit rregullativ dhe ligjor të Republikës së Kosovës”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti tha se Qeveria është duke bërë më të mirën pas asaj se çka kanë trashëguar nga qeverisjet e mëparshme.

“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë”, tha ai.

Dje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në veri të vendit.

“Më në fund kemi miratuar udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, kishte shkruar Besnik Bisilimi në Twitter.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë