Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti për kundërshtimin e referendumit të Serbisë: Askujt s’po i cenohet e drejta e votës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.

Këtë deklarët Kurti e ka thënë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga vetë ai, për çështjen e referendumit.

Kryeministri kosovar ka shtuar se askujt nuk po i cenohet e drejta e votës, por vetëm po respektohet Kushtetuta e vendit dhe barazia.

“Në situatën konkrete dua të bëjë të qartë që askush-askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Votimi për referendum mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën tonë”, tha ai.

Kurti ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si i tillë.

“Organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është kundër kufijve të ligjit dhe parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryeministri ka paraqitur edhe tekstin e rezolutës, duke kërkuar nga deputetët që ta miratojnë.

Edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit duke thënë se është në kundërshtim me shtetësinë e Kosovës.

Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës, kishte njoftuar Qeveria për thirrjen e seancës.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar tri automjete, një veturë dhe dy kamionë me targa të Serbisë në në pikën e kalimit Kufitar Merdare që lidh Serbinë me Republikën e Kosovës, duke theksuar se kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi.