
Kurti për Konferencën në Munih: Tri ditë takime, biseda e vrojtime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marr pjesë në edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë në Munih, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare mbi çështjet e sigurisë dhe politikës globale.
Kurti ka thënë se gjatë tri ditëve pati takime, biseda, shkëmbime e vrojtime, ndërsa ka thënë se “siguria ishte kryefjala, madje edhe kur nuk përmendej”.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka përmbledhur përmes fotografive takimet që ka zhvilluar me liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, duke diskutuar për bashkëpunimin në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në sigurinë, mbrojtjen dhe ekonominë.
Ai ka thënë se me Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzen theksuan gatishmërinë e përfshirjes së Kosovës në nisma globale të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me Kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir diskutuam për përfitimet e dyanshme nga Marrëveshja për Tregti të Lirë e Kosovës me shtetet anëtare të EFTA-s, të cilën e nënshkruam në janar. Me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan folëm për marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunimin e afërt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”- ka thënë Kurti.
Ndërsa ka përmendur edhe takimin me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić dhe me ministrin e Financave të Gjermanisë, Jörg Kukies, me të cilin ka thënë se veçuan rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja direkte nga Gjermania krahas marrëdhënieve të forta bilaterale në siguri e mbrojtje.
Ai tutje ka thënë se Bbashkëbisedime ka pasur edhe me emisarin e ri të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, Kryetaren e Grupit të Miqësisë Kosovë-Finlandë në parlamentin finlandez, Tytti Tuppurainen dhe Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, Ted Deutch.
Konferenca e Sigurisë në Munih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, Dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.
Ky organizim konsiderohet si forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë.