Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malaj: Dëshmorët e kanë kryer pjesën më ta madhe të ecjes politike

Në 25 vjetorin e rënies së tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e heroit Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Kurti tha se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

Kurti, duke kujtuar veprën e tyre, tha se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar.

Sipas Kurtit, dëshmorët kanë kryer pjesën më të madhe të ecjes politike e shoqërore.

“Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit. Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri,” ka thënë Kurti.

Më 27 nëntor 2018 nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj ishte bërë rivarrimi i eshtrave të Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, pranë varrit të veprimtarit Adem Demaçi, eshtrat e të cilëve deri në atë vit gjendeshin në Tiranë.

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konushevci dhe Malaj, janë vrarë më 9 maj të vitit 1998 në një pritë në fshatin Miliskajë të Bajram Currit në Shqipëri.