Kurti për grevën në arsim: Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar përsëri lidhur me grevën në arsim, duke thënë se nga kjo situatë dilet duke nisur mësimi për nxënësit dhe duke shkuar mësimdhënësit në shkolla pasi sipas tij nuk zhvillohet vendi pa arsimim.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit pra duke shkuar mësimdhënësit nëpër shkolla dhe po ashtu edhe nxënësit me qenë se nuk zhvillohet vendi pa arsimim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim”- tha Kurti.

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë për media pas vënies së gurëthemelit në shkollën “Ilir Konushevci” në Podujevë.

Kurti ka përmendur se si qeveri kanë ndërmarrë masa të ndryshme sociale për përmirësimin e pozitës së të gjithë qytetarëve përfshirë këtu edhe mësimdhënësit.

“Ministria e Arsimit e ka shpjeguar se si ne kemi ndarë mjete edhe për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda edhe mjete për mësimdhënës që mos ta humbin vendin e punës. Tash e kemi edhe pakon e përballjes me inflacion”- tha Kurti.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar që nga 25 gushti.