Ilustrim, Mbledhja e Qeverisë së Kosovë Foto: ZKM

Kurti për gjendjen në veri: Askush në Kosovë nuk ka interes për incidente, interes të tillë si duket ka vetëm Vuçiqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para mbledhjes së Qeverisë ka folur për masën e vendosur ndaj Serbisë për targat e automjeteve.

Kurti përsëri theksoi se ky vendim është i drejtë dhe garantojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke kërkuar nga qytetarët serbë që të lirojnë rrugët e bllokuara në veri të vendit.

“Vendimi për targat e përkohshme është vendim i drejtë dhe garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë përfshirë edhe qytetarëve serb. Jam i njoftuar se pengesat janë duke u bërë me disa kamion qe janë pronë e institucioneve komunale, ftoj kryetarët e komunave që të tërheqin automjetet nga rruga, po ashtu ftoj edhe qytetarët që të largohen sepse ata kanë bllokuar lëvizjen dhe veten e tyre”, tha Kurti.

Kryeministri tha se për incidente dhe eskalim nuk kanë interes qytetarët, as serbët në Kosovë.

“Për këtë nuk ka interes as Serbia, duket që vetëm presidenti i Serbisë ka interes. Ne jemi për bisedime dhe dialog ia kemi konfirmuar këtë gjë Borrellit, Lajçakut, ua kemi konfirmuar se jemi të interesuar të bisedojmë, se jemi praktik e pragmatik, mirëpo pragmatizmi kufizohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Kurti më tej.

Kurti theksoi në fund se Brukseli është vendi që duhet të zhvillohen takimet dhe u shpreh gjithmonë i gatshëm për dialog.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë dhe të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe qytetarët e Serbisë që do të futen në Kosovë, sipas vendimit të fundit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka shprehur shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për shtensionim urgjent.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar nga Kosova që sa më parë të largojë nga veriu njësitë speciale që tashmë janë duke qëndruar në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

(VIDEO) Vazhdon gjendje e njëjtë në Jarinjë