Kurti për "Financial Times": Pavarësisht se kemi pasur ndryshim të vogël në qasje, SHBA është aleat kyç me të cilin do konsultohemi gjithmonë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për “Financial Times” ka folur lidhur me situatën në veri të vendit dhe sanksionet e vëna nga SHBA ndaj Kosovës.

Përmes rrjetit Twitter ku edhe shpërndau një pjesë nga intervista, Kurti u shpreh se SHBA-në Kosova e ka aleat kyç me të cilin do konsultohen gjithmonë.

“Pavarësisht se kemi pasur një ndryshim në qasje, SHBA është një partner kyç me të cilin do të konsultohemi gjithmonë”-është shprehur Kurti.

Kurse, sa i përket vënies së sanksioneve për Kosovën, Kurti ka thënë se duhet menduar më gjatë, pasi sipas tij, është Serbia ajo që duhet t’i vihen sanksione.

“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë ose më thellë. Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po e financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, ndaj ndoshta duhet ata të marrin sanksione”- ka shtuar më tej Kurti.

“Sinqerisht nuk mendoj se ndonjë lloj sanksioni ndaj Kosovës është masa e duhur”- është shprehur tutje Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se do ishte i gatshëm të mbajë takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq nëse do ndërmjetësohej nga Brukseli,

Ai po ashtu mirëpriti dislokimin e trupave shtesë të NATO-s duke thënë se “ka bërë thirrje nga viti i kaluar që NATO të dërgojë trupa shtesë në Kosovë”.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.