Kurti për draftin e Asociacionit: Vuçiq do një “shtet brenda shtetit”, unë mund të diskutoj gjithçka brenda Kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka ofruar që të shkruajë një draft-statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, që duhet të respektojë Kushtetutën, por që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka interes për të “por dëshiron që mos ta njohë kurrë Kosovën por të marrë një “shtet brenda shtetit”.

Kurti thotë se në takime u ka thënë se “nuk mund të ofroj kafe pa filxhan”, teksa shtoi se Asociacioni duhet të ketë kornizë ligjore demokratike dhe kjo është pavarësia e Kosovës.

“Jam unë që kam ofruar që të shkruajë një draft- statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, që duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e BE-së që ky Asociacion nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, asnjë shtresë të tretë të pushtetit, dhe qëndrimin e SHBA-së, i publikuar nga Chollet dhe Escobar”- tha Kurti për televizionin austriak ORF.

“Por, presidenti i Serbisë tha se nuk ka interes për të, por dëshiron që mos ta njohë kurrë Kosovën por të marrë një “shtet brenda shtetit”, që të krijojë jofunksionalitet. Këto lloj kërkesash nuk mund t’i pranoj por gjithçka që është brenda Kushtetutës, dhe që respektojnë vlerat dhe modelet europiane, jam i gatshëm të diskutoj. Unë kam thënë në takime se nuk mund të ofroj kafe pa një filxhan. Nëse insistojnë në kafe pa filxhan, mund t’u tregoj vetëm filxhanin të zbrazur. Asociacioni duhet të ketë kornizë ligjore demokratike dhe kjo është pavarësia e Kosovës, e njohur nga 117 shtete nga e gjithë bota, 22 nga 27 shtete të BE-së dhe 26 nga 30 anëtarë të NATO-s”- theksoi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për marrëveshjet paraprake për Asociacionin, për të cilat tha se ranë ndesh me Kushtetutën dhe shtoi se nuk ka shanse për Republikë Serbe në Kosovë.

“Marrëveshjen që parardhësit e mi bënë 10 vite më parë dhe tetë vite më parë, nuk e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sepse kanë shkelur kushtetutshmërinë tonë. Gjuha serbe në Kosovë është gjuhë zyrtare, dhjetë nga 38 komunat janë me shumicë serbe kemi 10 ulëse të rezervuara në Kuvend por serbët po i bojkotojnë pasi Beogradi po i urdhëron. Ne kemi qenë shumë gjenerozë me serbët në Kosovë, unë jam edhe kryeministri i tyre, dua t’i mbroj të drejtat e tyre”- deklaroi ai.

“Ata duhet të jetojnë në Kosovë, por nuk ka shanse për Republikë Serbe sikur në BeH, dhe ky është pikërisht qëllimi i Beogradit zyrtar”- shtoi Kurti.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, e cila tha se takimi i Lajçak me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqin nga pala serbe, do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut me Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Palët deklaruan se dokumenti është i pranueshëm për ta, mirëpo liderët e të dyja vendeve arsyetuan fshehtësinë e përmbajtjes, duke thënë se kjo është kërkuar nga pesë emisarët, pasi përpjekjet diplomatike janë ende në vazhdim