Kurti për dosjet e dyshimta të Speciales: Janë filma të lodhtë pasi Thaçi "këndoi si bilbil" në Hagë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një intervistë për KTV ka folur në lidhje me dosjet e dyshimta të Gjykatës Speciale që ditëve të fundit janë dorëzuar në zyret e OVL të UÇK-së nga persona të panjohur.

Këto raste Kurti i ka quajtur “filma të lodhtë”, të cilët, sipas tij, ndodhin pasi presidenti Thaçi “këndoi si bilbil për 4 ditë në Hagë”.

Ai tha se shqiptarët nuk e kanë traditë të bëjnë “kësi lloj filmash”.

“Nuk e di a janë të inskenuara (nga zyra e presidentit), por filma të lodhtë po. Ne shqiptarët  nuk e kemi pasur në traditë që të bëjmë kësi lloj filmash, Serbia po, me trenin serbo-rus. Serbia marojke këso filmash, ne shqiptarët jo. Ne kemi ardhur deri këtu për shkak të rilindësve tanë dhe sinqeritetit që na karakterizon, kësi filmash nuk kemi ditë me bo. Ku i mësuan këta, nuk e di”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme në vend dhe situatën aktuale. Kurti deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme do të dyfishohet rezultati i 6 tetorit 2019.

“Besoj që do të dyfishohet rezultati i 6 tetorit dhe për këtë besoj jo vetëm për Vetëvendosjen por edhe për kryeparlamentaren Osmani. Por në parim populli po dëshiron që rezultatin e 6 tetorit ta konfirmoj dhe ta dyfishoj. Do të bëjmë çmos që të kalojmë 50% bashkë me Vjosa Osmanin”, tha Kurti në këtë intervistë.