Kurti për dialogun: Thelbi i problemit qëndron në mohimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në forumin “Globsec” në Sllovaki ku ka folur lidhur me çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka thënë se mohimi i krimeve të luftës nga ana e Serbisë është thelbi problemit dhe ofendim për Kosovën.

“Fatkeqësisht Serbia po thotë që nuk do të na njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i marrin parasysh, nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën, që të jem i sinqertë kjo e dyta na ofendon shumë më shumë se sa ajo e para. Pikërisht këtu e shoh thelbin e problemit, mohimin e krimeve të të kallurës, krimeve të luftës, gjenocidit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për një dialog parimor midis palëve të barabarta për një marrëveshje ligjërisht të detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

“Po përpiqemi shumë në Bruksel me Lajçak që të arrijmë marrëveshje kur bëhet fjalë për tabela automjetesh, për sa i përket energjisë elektrike në veri sepse nuk paguhet atje nga serbët. Pastaj edhe zhdukjeve me forcë të njerëzve”, ka thënë ai.

Kurti në këtë forum ka folur edhe për nismën e Ballkanit të Hapur dhe ka thënë se mbështet më shumë tek procesi i Berlinit.

“Nuk besoj që duhet të hapemi për një ndërhyrje verilindore ose lindore. Jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë tek procesi i Berlinit 2.0 me një nisje të freskët nga kancelari Scholz, e mbështesim iniciativën e BE-së me vlerat evropiane brenda por jo jashtë BE-së”, ka thënë Kurti.

Pjesë e panelit në forumin në Bratislavë, përveç kryeministrit Kurti janë edhe presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, kryeministëri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, i dërguar special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak  dhe Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor.