Kurti për dialogun: Jemi në rrugën e duhur për të diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes

Kryeminstri i Kosovës pas përfundimit të Samitit të Berlinit është deklaruar para mediave.

Kurti ka thënë se është herët të diskutohet për të diskutuar për detajet e marrëveshjes finale duke shtuar se janë në rrugën e duhur.

Ai tha se propozimet dhe idetë që bazohen në vlera evropiane, gjejnë mirëkuptim dhe angazhim tek Kurti.

“Jemi në rrugën e  duhur për të diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes sepse deri më tani shpesh herë është diskutuar për hapa të vegjël dhe momenti i ndryshimit ka qenë takimi në Bruksel më 18 gusht. Aty për herë të parë temat aktuale kanë qenë pikë e dytë e rendit të ditës në agjendë. Pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e dialogut. Si temë prioritare këtu vijnë propozimet dhe idetë, dhe të gjitha këto propozime që bazohen në vlera evropiane, shprehi mirëkuptimin tim, dhe angazhimin tim konkret. Por kjo tregon që jemi në shtegun e duhur dhe kemi bazën e mirë, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtje përfundimtare. Është ende herët”- ka thënë Kurti.

Për çështjen e detajeve sa i përket bisedimeve, Kurti thotë se është respekt ndaj ndërmjetësit konfidencialiteti duke thënë se është transparent në lidhje me procesin por, që siç tha ai, princip i ndërmjetësit “është konfidencialiteti i bisedimeve”.

“Është respekt ndaj ndërmjetësit konfidencialiteti i bisedimeve konkrete. Ne nuk mund ta kemi ndërmjetësin të tillë në funksionin që ka, nëse e sabotojmë procesin me hollësi të bisedimeve. Jam transparent për procesin por është princip i ndërmjetësit, konfidencialiteti i bisedimeve. Nga pala jonë nuk ka pasur rrjedhje”- u shpreh Kurti.

Më tej, Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk do të bë ndonjë marrëveshje që e cënon integritetin territorial të vendit dhe se Kosova është e gatshme sa herë që e thërret Bruskeli në takime të rradhës.

“Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që do të cënojë integritetin, territorial, sovranitetin e pavarësinë e vendit apo kushtetueshmërinë. Sa herë që të na thërret Brukseli për takime të rradhës, Kosova është e gatshme. Ne duam dialog parimor, simetrik, të bazuar mbi vlera evropiane dhe natyrisht që ndoshta të tjerëve u nevojiten strategjitë se si të mbërrihet tek ajo që për ne është e pashmangshme që është njohja reciproke në qendër”- shtoi mes tjerash Kurti.

Të enjten në Berlin, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje të përbashkëta rajonale.

Marrëveshjet e nënshkruara janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve,

Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vie pas gati dy viteve negociata.

Sot në kryeqytetin gjerman, Berlin po mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir është kancelari gjerman, Olaf Scholtz.