
Foto: ZKM
Kurti për deklaratën e Escobarit: Së pari njohja reciproke, tek pastaj ndonjë lloj Asociacioni
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për kërkesën e përsëritur të tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për mediumin turk “TRT”, Kurti ka thënë se së pari duhet njohja reciproke me Serbinë e tek pastaj mund të diskutohet çështja e Asociacionit.
“Qartë, Escobari është shumë aktiv dhe i përfshirë dhe e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Ajo që po i theksoj unë si kushte për çfarëdo lloj asociacioni s’janë qëndrime arbitrare të mijat apo mendime personale. Vullneti dhe dëshira e popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, janë ato që më bëjnë të themi se së pari na duhet njohja reciproke dhe tek pastaj ndonjë lloj Asociacioni”- ka thënë Kurti.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së fundmi kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj” – shprehen zyrtarët amerikanë.
Chollet e Escobar ritheksojnë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit
Ambasada amerikane në Prishtinë, thirri për të martën në mesditë një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë, siç thonë për të dëgjuar perspektivat për Asociacionin, ndërsa në po të njëtën kohë u thirr një protestë në Prishtinë për ta kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit.
Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Themelimi i Asociacionit është përmendur edhe në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.