Foto: KALLXO.com

Kurti për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme: Nuk kanë ku me shku ma

Në një tubim me qytetarë në Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti kishte një mesazh për mërgimtarët që nuk kanë arritur të regjistrohen me kohë për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

“Ata të cilët nuk janë regjistruar u mbetet metoda e vjetër: me aeroplan, autobus ose veturë”- tha Kurti në fjalimin e tij në tubimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” më 05.01.2025.

Gjatë këtij tubimi, Kurti ka përmendur ato që ai i ka quajtur suksese të qeverisjes së tij gjatë vitit 2024.

Në mesin e tyre ka përmendur faturimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit.

Gjithashtu, ai tha se ka përmirësime në shëndetësinë publike, pasi siç tha, ka transformime rrënjësore në klinikat e vendit.

“Në shkurt çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta… Janë rritur pensionet. Paga minimale pas trembëdhjetë vjetësh është shumëfishuar” – shtoi i pari i Qeverisë.

Kurti përmendi edhe funksionalizimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Dhe, si sukses tjetër, ai përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

Kryeministri ka përmendur edhe rritjen ekonomike. Ai tha se kjo rritje nuk është bërë me borxh të ri. “Përkundrazi, e kemi zvogëluar”.

“Në mandatin e ardhshëm patjetër duhet ta reformojmë me shpejtësi sistemin e drejtësisë” – tha Kurti, i cili përmendi Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Të dashur mitrovicas, deri tash e kanë shty, nuk munden ma. Një herë Gjykata Kushtetuese na rrëzoi 5 me 2. Tash prapë është në Gjykatë Kushtetuese (Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme). S’kanë ku me shku ma. Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret” – tha Albin Kurti, duke shtuar se nevojitet edhe reforma e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar është miratuar më 05.12.2024 në Kuvendin e Kosovës.

Më 13.12.2024, PDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese 13 projektligjet e miratuara nga Kuvendi në seancën e 05.12.2024, përfshirë edhe Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Duke folur për situatën në veri të vendit, kryeministri tha se atje është shtrirë ligjshmëria e kushtetutshmëria.

Ai foli edhe për sulmet terroriste në Banjskë dhe në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”.

“Ato ishin aksione dëshpërimi dhe të dështuara. Ata sa herë të provojnë do të dështojnë” – theksoi ai.

Në këtë tubim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Hekuran Murati dhe Arben Vitia.

Ministri Sveçla: Për dallim nga qeverisjet e mëhershme, secili polic i Republikës se Kosovës ka armën e tij të gjatë

Në tubimin në Mitrovicë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kushdo që ka menduar që Qeveria Kurti do ta realizojë luftën kundër krimit e korrupsionit e ta anashkalojë veriun ka gabuar rëndë.

“Suksesi ynë kulmor në fushën e sigurisë është vendosja e sovranitetit në veri të vendit” – tha ministri në këtë tubim me qytetarë.

Sipas ministrit, rinia e Kosovës ka qenë në fokus të punës së tyre, andaj, sipas tij, me ngulm janë luftuar narkotikët.

“Janë konfiskuar lloje të drogave nga më të ndryshmet e janë shkatërruar laboratorë të drogave” – shtoi ai.

Duke folur për veprimet e Qeverisë, ministri ka përmendur faktin se për vitin 2025, Policia e Kosovës ka 152 milionë euro buxhet.

“Për dallim nga qeverisjet e mëhershme, secili polic i Republikës se Kosovës ka armën e tij të gjatë. Ne për katër vite kemi blerë  më shumë autoblinda sesa që janë blerë para 20 viteve” – shtoi Sveçla.

Ministri Sveçla përmendi edhe dyfishimin e hetuesve që merren me krimet e luftës.

Tutje, ai ka folur edhe për aksionet në veri të vendit.

Sipas tij, ata që dikur janë trajtuar si të paprekshëm, e të cilëve iu hoqën aktakuzat, “pasi i hetuam ikën në Serbi”.

“Ata kanë pasur institucione ilegale e nuk i kanë më. Kanë rrahur e dëbuar shqiptarë – nuk munden më. Kanë pasur targa ilegale e dinarin – nuk i kanë më. Kanë pasur laboratorë të drogës – nuk i kanë më. Kanë realizuar kontrabandë – nuk mund ta bëjnë më. Kanë provuar të pengojnë zgjedhjet demokratike – kanë dështuar. Kanë tentuar të mundësojnë funksionimin normal të vendit tonë me sulmin në kanalin ‘Ibër-Lepencit’ – kanë dështuar” – theksoi ministri i Punëve të Brendshme, duke shtuar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk ua ka lënë në dorë veriun e vendit atyre që “sulmin e Banjskës nuk duan ta cilësojnë sulm terrorist”.

Ministri Peci: Në Qeverinë Kurti ka funksionuar buka, pushka dhe diplomacia

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në këtë tubim ka thënë se mund të dalin ballëhapur para mitrovicasve për atë që ka bërë Qeveria Kurti dhe Ministria që ai drejton.

Ministri tha se janë mbi 40 përfitues të granteve nga Mitrovica.

“Në Qeverinë Kurti ka funksionuar buka, pushka dhe diplomacia” – ka thënë ministri Peci.

“Më duhet të them që Mitrovica është amaneti i Isa Boletinit, qytet ku ka lindur roku e lulëzuar sporti, ka marrë epilog me personalitetin që quhet Albin Kurti. Ne si Mitrovicë i kemi 1,001 arsye për ta votuar Albin Kurtin kryeministër” – ka theksuar ministri Faton Peci.

Në këtë tubim, para mitrovicasve kanë shpalosur punët e tyre edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast janë shtuar edhe deklarimet e ministrave Xhelal Sveçla e Faton Peci. Koha e editimit: 05.01.2025, ora 20:32