Arkiv - Albin Kurti - Isa Mustafa

Kurti për bisedimet me LDK-në: Nuk mund të kthehet situata e para 26 dhjetorit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas takimit që pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, para gazetarëve ka folur edhe për ministrat që ka propozuar Vetëvendosja dhe për ata që pritet t’i propozojë Lidhja Demokratike.

Kurti deklaroi se nuk e ka caktuar asnjë ministër për LDK-në, por e ka lënë vendin për ta.

“Unë nuk kam caktuar asnjë ministër nga LDK-ja, e kam lënë vendin për ta. Nuk e kemi kohën private në pyetje, por kohën publike e shtetërore që nuk është e jona dhe duhet t’i shërbejmë.  Unë nuk dua ta propozoj emrin e ministrit serb pa i pasur emrat e ministrave të LDK-së”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Lidhjen Demokratike.

Ndërsa në lidhje me postin e presidentit, Kurti tha se do të ishte mirë që të diskutohet kur t’i vijë koha.

“Më mirë do të ishte që çështjen e presidentit ta diskutojmë kur ti vijë koha dhe pasi të kemi qeverisur bashkë. Tash duhet të takohemi dhe ta shohim si mund të ecim përpara. Qytetarët nuk më duken të interesuar që të shkojnë në zgjedhje, e kemi një shanc unik që VV dhe LDK ta bëjnë qeverinë së bashku, duke ecur më shpejtë dhe duke kuptuar se koha e tanishme nuk është e jona”, tha kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti deklaroi se më nuk ka kthim prapa.

“Nuk mund të kthehemi as para 26 dhjetorit, as para 6 tetorit as para 4 shtatorit, çka të bëjmë tash. Kuvendi është konstituar, shyqyr që është konstituuar, nuk kemi pasur zvarritje sikur në vitin 2017. Kemi kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit të Republikës, të cilët i kanë marrur votat të hapura, të lira dhe demokratike. Tash duhet të bëjmë hapa përpara dhe jo prapa”, tha Kurti.