Kurti për Bekim Haxhiun: Nuk e kam ditë që është doktor shkence

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar projektligjin për tërheqjen e mjeteve të Trusti-t, duke kritikuar sponzoruesit, që janë nga PDK.

Sipas Kurtit, ata që kanë propozuar projektligjin për tërheqjen e Trustit po e manipulojnë opinionin.

“Është shumë gabim që këta 10 për qind që do të ishin përfituesit kryesorë të një skeme për rrënimin e Trustit pensional të vendit të udhëheqin me iniciativa të tilla. Janë këta që e kanë sjell këtë propozim në Kuvend dhe po e keqpërdorin edhe rrjetin medial për të manipulu opinionin si për masat e krizës ashtu edhe për domosdoshmërinë e mjeteve të trustit si zgjidhje”, tha Kurti.

Kurti tha se “ata” po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vet dhe me qytetarët e vendit për t’i arrit qëllimet personale.

Kurti tha se fondi i kursimeve nuk ekziston për tu zbrazur.

Ai ka folur edhe për deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, që është inciuesi i këtij projektligji duke thënë se: “Nuk e kam ditë që është doktor shkence”.

“Unë nuk e kam ditur nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence. Pra ka PHD nismëtari i kësaj iniciative, ka doktoraturë. Dhe unë besoj që kjo nismë ka ardhë sepse nismëtari ka doktoraturë. Po mos të kishte doktoraturë nuk do ta bënte këtë nismë. Nevojitet doktoraturë PHD për një fizioterapoistë që të propozoj diçka kaq të madhe në ekonomi. Nuk ka shpjegim tjetër vetëm një doktoraturë në fizioterapi ta sjell vetëbesimin e nevojshëm që të bësh këso propozime në ekonomi e në financa të vendit”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, nga mbi 695 mijë llogari që janë të hapura në Trust,  gjysma e tyre janë jo aktive, ndërsa 90% e tyre kanë më pak se 10 mijë euro.

“Kurse ¾ e llogarive apo 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1 mijë e 100 euro në llogari. Gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 10 për qind e bartësve të llogarive… Afër gjysma e kontributdhënësve nuk do t’i tërhiqnin mesatarisht as 100 euro por ne ua kemi dhënë nga 100 euro”, tha ai.