Kryeministri Albin Kurti, 14 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti për Asociacionin: Kosova nuk frikësohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk frikësohet, por është e kujdesshme, ku është pyetur rreth kërkesave të faktorit ndërkombëtar që të zbatohet marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti shtoi se nuk janë biseduar modele për Asociacionin dhe se të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara me nivelin më të lartë të standardeve evropiane.

“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne iu shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit të pavarur të Kosovës, i Republikës sonë demokratike e sovrane është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria”, tha ai para gazetarëve.

Kurti shtoi se janë konstruktiv sa i përket bisedimeve me Serbinë.

“Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet i lehtësuar apo i ndërmjetësuar nga BE, me që rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë  i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha ai.

Kryeministri theksoi se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet.

“Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshje , nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv, jemi serioz dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo që po pajtohen gjithnjë e më shumë që të gjithë faktorët ndërkombëtarë e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidenti i SHBA, Joe Biden që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.

Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në ditën e tretë të vizitës në Kosovë, kanë thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Lëmshi rreth Asociacionit, të dhënat e raportit të BIRN-it “Big Deal”