Kurti për arrestimet nga Haga: Qeveria e Vetëvendosjes do t'i mbronte luftëtarët e UÇK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur rrezik të tretë Gjykatën Speciale, për të cilën thotë se me LVV në krye të Qeverisë luftëtarët e UÇK-së do të mbroheshin.

Ai tha se është për të të ardhur keq se askush nga Presidenca e as nga institucionet tjera “nuk po e çel gojën” përballë këtyre arrestimeve nga Gjykata Speciale.

Këto deklarata i bëri gjatë mbledhjes e këshillit të përgjithshme të LVV-së, e cila është mbajtur online.

“Këto arrestime i kemi parashikuar. Mirëpo presidenti thoshte se ata që janë kundër gjykatës janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë vet dhe mendjen e ka pasë si të bëhet president për vete e jo çka do ndodhë me UÇK-në. E futen në kushtetutë duke e shndërruar si pjesë të themelit. Sot nuk mundemi me ndalë atë Gjykatë, e kam thanë në parlamentar se po të ishte LVV në qeveri, do t’i mbronin luftëtarët e UCK-së. Por Thaçi me LDK-në e rrëzuan qeverinë tonë të mirë”, tha ish-kryeministri Kurti.

Kujtojmë se të premten është arrestuar kreu i organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Arrestimi i tyre u krye nga njësiti special i EULEX-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.