Foto nga RTK-live

Kurti: Për aq sa do të ketë turma që sulmojnë nga jashtë, duhet të kemi policinë tonë në objektet komunale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit në Forumin e Bratislavës GLOBSEC2023 në Sllovaki.

Kurti thotë se kryetarët e rinj janë me “k” të vogël jo me “K” të madhe dhe siç tha ai “nuk mund të them se kanë legjimitet të plotë politik por ligjshmëria, kushtetutshmëria duhet të jetë e zbatuar, ata janë kryetarë”.

“Kryetarët e rinj të zgjedhur janë me ‘k’ të vogël jo me ‘K’ të madhe për shkak se dalja në zgjedhje ka qenë e vogël dhe nuk mund të them se kanë legjimitet të plotë politik por ligjshmëria, kushtetutshmëria duhet të jetë e zbatuar, ata janë kryetarë. Bashkësia ndërkombëtare e ka njohur procesin dhe i ka njohur rezultatet por kur këta kryetarë u deshën të shkonin zyrat e tyre ne komunë, janë organizuar turma të dhunshme që kanë sulmuar policët tanë dhe KFOR-in”- ka deklaruar ai.

Kurti theksoi se për aq kohë sa ka turma të dhunshme që sulmojnë nga jashtë, policia duhet të jetë tëk objektet komunale.

“Për aq sa do të ketë turma të tilla të dhunshme jashtë që kërcënojnë të sulmojnë, që bëjnë grafitë me shkronjën Z që tregon admirim për Putin, dhe disa prej të cilëve janë policë në Serbi, duhet të kemi policinë tonë në objektet komunale. Policia po bën një punë profesionale, janë të trajnuar nga BE dhe SHBA, dijnë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e policisë”- u shpreh ai.

“Nëse këta kryetarë nuk shkojnë në objekte komunale, ku duhet të jenë? Kush duhet të qëndrojë në këto ndërtesa? Këta janë kryetarët dhe sigurisht që mandati i tyre nuk është 4 vite por dy vjet”- shtoi kryeministri.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, më 30 maj 2023 e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheqë Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Ndërkaq sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga veriu.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai gjithashtu ka kërkuar edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të ulë statusin e sigurisë të forcave të armatosura të Serbisë dhe t’u bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën.

Tensionet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji 2023.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.

Më 30 maj 2023, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.