Kurti për aksionin në Karaçevë: Agim Veliu erdhi te unë me fjalë goje dhe pa hollësi për planin

Ish- kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në  një  konferencë  për  media ka thënë  se sistemi i drejtësisë  në  Kosovë dështon sepse nuk i kap kokat. Ai ka dhënë detaje edhe lidhje me një kërkesë që Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, i kishte bërë atij sa ishte kryeministër.

Kurti ka komentuar aksionin e mbrëmshëm në Karaçevë për shkatërrimin e rrjetit të kazinove. Ai ka përgëzuar policët, por ka thënë se aksioni duhet të vazhdojë.

“I përgëzoj policët për aksionin e djeshëm. Fillimi nuk është mbarim. Tani duhet të vazhdohet tutje. Nëse i mbrëmshmi ka qenë krim i madh, atëherë e kane kapur vetëm për bishti. Koka është diku tjetër, ndoshta në Prishtinë. Sistemi ynë i drejtësisë përgjithësisht dështon në luftimin e krimit sepse nuk i kap kokat. Nuk vazhdon procesi me hallkat e tjera të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se organet e drejtësisë duhet të fokusohen për ta ndjekur krimin edhe në Prishtinë.

“Dihet që numri më i madh i kriminelëve të paqes për metër katror në Republikën e Kosovës është në Prishtinë. E tash nëse luftojmë korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar si bëhet se ka kaq shumë zell për të vrapuar në Zubin Potok e në Karaçevë e jo në Prishtinë. Kriminelët e mëdhenj janë fatkeqësisht në kryeqytet, prandaj për mua është absurde që ka kaq shumë zell për të shkuar larg kryeqytetit, ku për bindjen time, janë kokat e krimit”, ka shtuar më  tej ai.

Ndërsa për akuzat e ministrit të  brendshëm, Agim Veliu, se Kurti nuk e ka lënë  të  veprojë  në  muajin shkurt kur ai e ka bërë  kërkesën, Kurti tha se ai fillimisht kishte kërkuar leje për në Zubin Potok e pastaj në  Karaçevë dhe vetëm me fjalë goje e pa asnjë plan.

“Ai ish-ministri im i Brendshëm pati ardhur me kërkesën për leje për një aksion në Zubin Potok, pastaj për në Karaçevë. Por, pati dështuar të më sjellë diçka me shkrim. Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprohet. Kam kërkuar asi kohe aksion të përgatitur mirë dhe jo aventurë. Ish-ministri im vinte me fjalë goje dhe asnjë letër në takim. Uroj që kësaj radhe të jetë krejtësisht ndryshe. S’mund të pranoja diçka të tillë për të cilën nuk kisha asnjë hollësi për planin”, ka thënë Kurti.

Kryeprokurori : Aksioni i mbrëmshëm është rezultat i punës 1 vjeçare dhe nuk ka lidhje me askënd