Kurti për aksionin e PSD-së ndaj ministrit të financave: Ose je kundër pakos, ose je i udhëhequr nga inati

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar aksionin e PSD-së ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, aksion ky i ndërmarrë gjatë ditës së djeshme.

Anëtarë të PSD-së i kishin hedhur Ministrit Murati miell deri sa po ecte në këmbë.

I pyetur në lidhje me këtë aksion, Kurti tha se nëse dikush është kundër pakos mund të bëj edhe aksione kundër ministrit Murati.

Ai shpalosi sërish detaje për pakon e re për përballjen me inflacionin të cilin e bënë të ditur gjatë ditës së djeshme pikërisht me Ministrin Murati.

“Ne dje me Muratin shpalosëm pakon e re me përballjen me inflacion e cila bën subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë elektrike kurse nga pagesat direkt do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetar. Në anën tjetër për pensionistët do të ndajmë 100 euro ndërsa familjet për asistencë sociale do të dyfishojmë shumën për 1 muaj, për zyrtarët publik 50 euro, punëtorët e ndërmarrjeve publike prej 100 euro. Do të subvencionojmë bizneset private me 50 % rritjen e pagës për punëtorë”, tha Kurti gjatë përgjigjes për aksionin e PSD-së.

“Tash nëse je kundër kësaj pakoje mund të bësh aksion ndaj ministrit të financave, përndryshe nuk kemi të bëjmë më kritike e kundërshtim por veç me inat. Ose mund të jesh kundër kësaj pakoje ose mund të jesh i udhëhequr nga inati secila më keq se tjetra”, vazhdoi ai.

Gjatë ditës së djeshme aktivistët e PSD-së e kanë gjuajtur me miell ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Me këtë rast është marrë edhe Policia e Kosovës. Në raportin ditor të policisë thuhet se fillimisht rastin e kanë trajtuar pas publikimit të videove të ndryshme në rrjete sociale ku shihen disa persona duke hedhur miell mbi ministrin Murati.

Lidhur me rastin, policia thotë se ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur incidentin dhe më pas kanë kontaktuar edhe me ministrin Murati.

Ky i fundit sipas policisë ka njoftuar se nuk është lënduar.

Në lidhje me këtë ngjarje është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Ky i fundit ka sugjeruar që të bëhet shënim zyrtar për procedura të mëtejme ligjore.

Aksioni i PSD-së ndaj ministrit Hekuran Murati, policia cilësoi rastin si prishje e rendit