Kurti: Pasuria e paligjshme nuk është private, sepse ajo kurrë nuk është fituar (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm miratimin e koncept dokumentit për luftimin e kriminalitetit në vend.

Kurti tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë premtuar se do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin dhe do ta konfiskojnë pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme.

“Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij, duke filluar nga përkufizimi i pasurisë së paligjshme”, tha Kurti.

Pasuria e paligjshme, sipas kryeministrit Kurti, është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore.

“Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre. Zbrazëtira ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë, ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit, e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht. Rrjedhimisht shumë zyrtarë të lartë, e të tjerë të mesëm të lidhur me ta, kanë krijuar pasuri marramendëse duke keqpërdorur taksat e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se korniza ligjore e tanishme parasheh ekzistimin e aktgjykimit dënues si element të domosdoshëm për t’i hapur rrugë konfiskimit të pasurisë.

“Një praktikë e tillë është konsideruar e padobishme dhe joefikase. Vetëm në gjashtë vitet e fundit sekuestrimet kapin vlerën e 180 milionë eurove, ndërsa konfiskimet vetëm 3.5 milionë euro. Kurse edhe pas kalimit të më shumë se një viti prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, ekziston vetëm një rast i identifikuar i zbatimit të tij në praktikë. Vetëm një rast”, tha kryeministri.

Kurti tha se para vetes kishin tri opsione:

“I pari, të vazhdojmë status quo-në dhe paligjshmërinë. I dyti, të mundohemi të përmirësojmë legjislacionin ekzistues duke shpresuar se do të përmirësohet sistemi i drejtësisë, dhe i treti, të synojmë një ligj të ri i cili sjellë një mekanizëm të ri ligjor. Me këtë koncept dokument ne kemi zgjedhur të tretin. Derisa procesi i Vettingut në drejtësi të realizohet, ne duhet të veprojmë, prandaj po sjellim një ligj të ri, i cili heq të gjitha dyshimet dhe të gjitha pengesat për luftimin e kriminalitetit, dhe në këtë opsion nuk jemi vetëm. Tashmë disa shtete të Bashkimit Evropian, sikurse Irlanda, Sllovenia, Gjermania, si dhe Italia, por edhe Mbretëria e Bashkuar, kanë bërë zgjidhje të ngjashme”, shtoi ai.

Kurti tha se ligji i ri nuk do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore në fushën e konfiskimit. Sipas tij, e gjithë korniza ligjore ekzistuese do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të luftuar kriminalitetin.

Kurti tha se ligji i ri do të synojë t’i hap rrugë themelimit të një agjencie të re jo prokuroriale, e cila synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme.

Kjo agjenci sipas tij do të jetë e pavarur dhe do të ketë për funksion hetimin e pasurisë së pajustifikueshme në fushën civile.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën, duhet t’i jap fund e do t’i jap fund, epokës së deritanishme ku dominonte parulla: Rroga e vogël, fitimi i madh!”, tha Kurti.

Kurti shtoi se askush nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton.

“Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon”, ka thënë Kurti.

Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme sipas Kurtit, kurrë nuk është as private e as e ligjshme, sepse ajo kurrë nuk është fituar.

Kurti tha se Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë.

Për këtë çështje, kryeministri Kurti ka zgjedhur që t’u adresohet qytetar%ve me një video mesazh mbi 9 minutësh, të cilën të plotë mund ta shihni e dëgjoni në linkun e bashkëngjitur më poshtë.