
Starlink në Kosovë. Foto: ARKEP
Kurti pasi Starlink arriti në Kosovë: Është dëshmuar i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë emergjencave kombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të emergjencave kombëtare.
Kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook, ka reaguar pasi që Elon Musk mbrëmë bëri të ditur se Starlink tashmë është i qasshëm kudo në Kosovë.
“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë.Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës” – ka shkruar Kurti.
Starlink – platforma e internetit satelitor të Starlink Services, LLC, një degë në pronësi të plotë të kompanisë amerikane të hapësirës ajrore SpaceX të Elon Musk tashmë ka arritur edhe në Kosovë.
Kështu bëri të ditur ditur pronari i kompanisë “SpaceX”, Elon Musk përmes rrjetit social X, të shtunën, më 21.12.2024.
Starlink është një sistem interneti i bazuar në satelit që “SpaceX” e ka ndërtuar prej vitesh për të sjellë qasje në internet në zonat e pashërbyera të botës.