Albin Kurti, Jens Stoltenberg/Foto: ZKM

Kurti pas takimit me shefin e NATO-s: Qytetarët e Kosovës kanë arsye për të qenë vigjilentë për shkak të politikave të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova kërkon anëtarësim në NATO .

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës kanë arsye për të qenë vigjilentë për shkak të politikave të fqinjit verior, Serbisë.

“Kemi një vizon të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO dhe kjo do na mundësojë të japim atë që shtetet tjera kanë dhënë për ne. Ne e kemi demonstruar se jemi për paqe e siguri. Kërcënimet dhe rreziqet ndaj NATO-s i ndjen edhe vendi ynë. Qytetarët tanë në situatën aktuale kanë arsye për të qenë vigjilentë në kohën kur fqinji ynë verior përmend kërcënime ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi” – ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se kontributi i NATO-s në zhvillim e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë shembullor.

“Kontributi i NATO-s në  themelimin, zhvillimin dhe funksionalizmin e FSK-së ka qenë një sukses shembullor duke iu falënderuar bashkëpunimit me KFOR-in dhe këshillat profesionale që jepen nga ekipet ndërlidhëse. FSK ka arritur nivel të lartë të aftësive dhe kapaciteteve, të gjitha këto bëhen sipas standardeve të NATO-s, për të qenë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon e më tej” – shtoi kryeministri Kurti.

“Jemi të përkushtuar për demokraci, zhvillim ekonomik, mirëqenie për qytetarët tanë, të drejta të komuniteteve, siguri e rend për të gjithë” – shtoi kryeministri.

Derisa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes vete përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Stoltenberg pas takimit me Kurtin: Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut