Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti pas takimit me ministrin grek Dendias: Greqia do ta përkrahë Kosovën në rrugën euro-atlantike

Kryeministri Albin Kurti, në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, kanë diskutuar për raportet Kosovë-Greqi.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecies”, thuhet në komunikatën për media dërguar nga zyra e kryeministrit.

Ministri Dendias ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kosovën dhe për investime të reja.

“Duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit, ministri i jashtëm grek tha se Greqia është shumë e interesuar të rris bashkëpunimin kulturor me Kosovën. Ai u interesua të dijë edhe për ecurinë e procesit të ri të dialogut”, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, Kurti e ka njoftuar mysafirin se takimi i radhës në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm, e i cili, siç citon komunikata kryeministrin “duhet të jetë parimor dhe Kosova të trajtohet palë e barabartë”.

“Kryeministri përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.

Ministri i Jashtëm Dendias ka thënë se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane dhe euro-atlantike.

Nikos Dendias është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Kosovë, dhe gjatë ditës ka zhvilluar takime me homologen e tij Donika Gërvalla, presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Adresimi i vetëm i tij para mediave, ishte pas takimit që pati me homologen Gërvalla, tek tha se Greqia e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovës.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e Bashkimit Evropian, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, tha Dendias në konferencë për media.