Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti pas takimit me Lajçak: Prioritet i yni është punësimi dhe drejtësia, nuk jemi kundër dialogut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka thënë se në takimin me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kanë diskutuar për procesin e dialogut, duke theksuar se ky nuk është prioritet i qeverisë së re.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi, unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, se nuk jemi kundër dialogut, por e duam dialogun parimor dhe të përgatitur mirë”, tha Kurti para gazetarëve.

Kurti insistoi që dialogu kurdo që fillon ai të mos jetë në presion kohor dhe të jetë i sinqertë.

“Unë nuk e mohoj rëndësinë e dialogut edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Kosovën e Serbinë, edhe për rajonin, por më e rëndësishmja është që ky të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës por jemi me përkushtimin për substancë”, tha ai.

Nesër në mëngjes, Lajçak do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin.

Ata do të kenë një konferencë të përbashkët për media.

Pasi të vizitojë Kosovën, Mirosllav Lajçak do të vizitojë Serbinë më 3 dhe 4 mars, ndërsa më pas do të qëndrojë në Mal të Zi.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt.

Sipas rezultateve preliminare, LVV është partia e parë.

Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i negociatave me palën serbe nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të qeverisë së tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, ka thënë Kurti në konferencë për media, më 14 shkurt, pas mbylljes së vendvotimeve.