Kurti pas takimit me Erdoganin: Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ka thënë se Kosova e Turqia ruajnë marrëdhënie miqësore e historike, gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Stamboll.

Kurti tha gjatë konferencës se në Stamboll, nis një pjesë e mirë e zgjimit kombëtar të shqipatrëve, duke përmendur edhe rilindasit që vepruan në metropolin turk.

Kurti tha se me presidentin Erdogan kanë biseduar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Por, edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Ai tha se Kosova i është përherë mirënjohëse Turqisë për mbështetjen që nga intervenimin e NATO-s në  në vitin 1999 e deri më sot, sidomos në politikën e jashtme.

“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet tona kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij”- ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tha më tej se komunitetit turk në Kosovës dhe komuniteti shqiptar në Turqi luajnë një rolë të rëndësishëm në marrëdhëniet me dy vendeve.

“Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”- tha Kurti gjatë konfernces.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur sot në një vizitë zyrtare, në Pallatin Vahdettin të Stambollit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan zotohet për mbështetje ndaj Kosovës për anëtarësim në NATO dhe integrim evropian