Foto: ZKM
Kurti pas marrëveshjes për targat: Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e arritur dje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave i hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë.
Kurti ka thënë se ajo i hap rrugë bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve bazuar në atë që njihet si propozimi Franko-Gjeman.
“Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj. Dakordimi i djeshëm e hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA. Faleminderit Ambasadorit Hovenier për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij” ka shkruar Kurti në Twitter.
Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.
ipas kësaj marr%veshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.
Kurti dje teksa ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se ai është i gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve “një orë e më parë”.
Ai ka deklaruar se në Bruksel shkon vetëm për marrëveshjen finale, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.
“Unë shkoj atje vetëm për marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshëm, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve e me njohjen reciproke në qendër, ky duhet të jetë qëllimi dhe ky duhet të jetë kuptimi”- ka thënë Kurti.
Takimi i së hënës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.
Në një prononcim për media, Borrell kishte thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.
Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.