Foto: ZKM

Kurti: Pas Krishtlindjeve do të kemi një takim me komandantin e KFOR-it për çështjen e barrikadave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pas festës së Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia për tu sqaruar në lidhje me çështjen e barrikadave.

Kurti tha se ne takim pritet që të sqarohet gjithçka pasi sipas tij, situata me barrikadat nuk mund të tolerohet pafundësisht.

“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet të kemi shumë shpejt pas saj një takim me komandantin e KFOR-it dhe unë si kryeministër, e në të cilën besoj që të sqarojmë gjithçka por, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht. Nga ai takim të cilin presim që ta kemi me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjes besoj që do të sqarohet gjithçka dhe mund të ju japim përgjigje” – u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se janë bërë dy javë prej kur KFOR ka kërkuar kohë nga Qeveria dhe se tashmë janë vendosur 11 barrikada në veri.

“KFOR-i ka kërkuar pak kohë prej neve dhe ne i kemi dhënë pak kohë por jemi dëshmitarë që janë bërë dy javë që janë vendosë 11 barrikada gjithsej që ndodhen në veri dhe këto janë duke penguar lirinë e lëvizjes. Liria e lëvizjes ka qenë vlera kryesore që e ka afirmuar KFOR-i në këto 23 vite të pas luftës andaj edhe ne i kemi dhënë kohë për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Kosovë nga pikpamja e KFOR” – tha Kurti.

“Lirinë e lëvizjes nuk e kemi sepse janë 11 barrikada dhe nuk janë civile, janë të njerëzve të uniformuar, të armatosur dhe të cilët janë të pozicionuar asisoj që më shumë kanë të bëjnë për të mbrojtur personin e uniformuar dhe të armatosur që të shtije në veturat që vijnë se sa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve nga ana e tjetër” – shtoi ai.

Ndërkaq, mbrëmë komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia duke iu referuar situatës aktuale në veri të Kosovës, është deklaruar se mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.

Për zgjidhjen e situatës me barrikadat në veri, Ristuccia thotë së “Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”.

KFOR-i e ka konfirmuar edhe më herët që ka rritur prezencën dhe patrullimet në muajt e fundit.

Ministri i Brendshëm ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për largimin e barrikadave por kryeministri i Kosovës ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

Sveçla në konferencën që e ka mbajtur më 22 dhjetor në Mitrovicë, tha se nëse KFOR-i nuk i largon këto barrikada, duhet ta njoftojë Qeverinë e Kosovës për pamundësinë e këtij veprimi, me qëllim që këta të fundit ta kryejnë vet këtë punë.