Albin Kurti - Foto: ZKM

Kurti pas bisedës me Borrell dhe Stoltenberg: Dialogu - rruga e vetme për të gjetur zgjidhje të drejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot gjatë ditës ka zhvilluar bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg.

Në profilin e tij në Twitter Kurti ka shkruar se me dy zyrtarët e lartë ka diskutuar për sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë si dhe nevojën e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Dialogu është rruga e vetme për të gjetur zgjidhje të drejta”, ka shkruar Kurti.

Sot është dita e shtatë e bllokimit të rrugëve që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Rrugët drejt këtyre pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar me kamionë dhe automjete të tjera nga qytetarë serbë të Kosovës, të cilët kështu kanë vendosur të protestojnë kundër vendimit të institucioneve të Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

Një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit, parasheh që të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hynë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, njëjtë siç veprohet me automjetet e Kosovës që hynë në Serbi.

Dërgimi i njësive speciale në pikat kufitare në veri të vendit ka ngjallur protesta të banorëve serbë, të cilët kanë bllokuar  rrugët drejt dy pikave kufitare.

Deri më sot situata është e qetë, përkundër se nga Serbia ka pasur përshkallëzim të tensioneve pasi për dy ditë radhazi ka pasur fluturime me helikopterë dhe aeroplanë luftarakë deri afër kufirit me Kosovën. Fluturime të aeroplanëve ka pasur edhe sot.

Gjithashtu, gjatë natës së kaluar në qytetet në veri të vendit ka pasur incidente, të cilat ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë cilësuar si vepra me elemente terroriste.

Për shkak të situatës së krijuar në veri, dhe sidomos pas provokimeve nga Serbia me helikopterë e aeroplanë, mbrëmë është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

Po ashtu, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është detyruar ta ndërpresë vizitën në Shtetet e Bashkuara dhe të niset për Kosovë.