Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti: Parulla jonë është "Jo Zajednicës", edhe atëherë, edhe sot

Kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me parullën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit e cila, sipas tij, vlen edhe sot.

Ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini tha se parulla ‘Jo Zajednicës’ vlen edhe sot.

“Parulla jonë zgjedhore atëherë ka qenë punë, drejtësi dhe jo Zajednicës, edhe atëherë, edhe sot”- u shpreh Kurti.

Kurtit iu transmetua një intervistë e tij e dhënë në vitin 2010 ku flet kundër nisjes së bisedimeve me Serbinë pa kërkim-falje e pagim të dëmeve të luftës.

“Ky është viti 2010 kur është bërë intervista, ku unë flas për bisedimet me Serbinë. Në vitin 2011 kanë nisur negociatat e para, në vitin 2014 ne patëm bërë një marrëveshje në kohën e VLAN ku thuhej se Vetëvendosja është ajo që do të udhëheqë bisedimet”- u shpreh ai.

Kurti u shpreh se nëse do të ishte kryeministër në kohën kur nisën bisedimet do ishte më mirë për Kosovën.

“Tani jemi në vitin 2023, mos më pyesni nëse nuk do doja të isha kryeministër më herët, besoj se do ishte më mirë për Kosovën”- u shpreh tutje ai.