Kurti paralajmëron reciprocitet edhe për njohjen e dokumenteve të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në RTK ka folur për reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka paralajmëruar një reciprocitet  sa i përket njohjes së dokumenteve të Serbisë nga ana e Republikës së Kosovës.

“Duhet të ulemi dhe të flasim me ministren e Industrisë, por jo vetëm në mënyrë që ta dijmë që kur saktë do ta zbatojmë, por edhe ndoshta nuk është puna më e mençur që t’i tregojmë Serbisë datën kur do të fillojë”, ka thënë Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se njohja e letërnjoftimeve të Kosovës nga ana e Serbisë nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës.

“Integrimet evropiane, Bashkimi Evropian, Procesi i Berlinit, tregu i përbashkët rajonal, që të gjitha këto kanë nevojë për njohjen e dokumenteve të Kosovës nga ana e Serbisë, të diplomave, certifikatave”, tha kryeministri.

Tutje, Kurti është shprehur se qasja e Serbisë ndaj Kosovës domosdo duhet të ndërrohet.

“Letërnjoftimet e Serbisë shumë lehtë vijnë në Kosovë, por nëse shkon me letërnjoftim të Kosovës në Serbi ata t’i thithin të dhënat nga karta e identitetit dhe më pastaj të japin një copë letër në të cilën të shkruan që e ke humbur letërnjoftimin e Serbisë, pra të shekullit të kaluar”.