Kurti paralajmëron heqjen e tarifës ndaj Serbisë dhe vendosjen e reciprocitetit

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se tarifa e mallrave dhe produkteve serbe do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

Kurti këto deklarata i bëri me anë të një njoftimi në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje tha se si Kryeministër i Republikës së Kosovës ka shprehur vullnetin që ta heq tarifën 100 përqind.

“Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohje e pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar Kurti.

Ambasadorët e vendeve të Quintit gjatë ditës kur ishte formuar qeveria e re kishin kërkuar nga po e njëjta qeveri që të hiqet taksa.

“Kadri, shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që Kosova ta heq taksën 100%. Ajo dëmton Kosovën dhe largon bizneset nga krijimi i vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, kishte thënë Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Kadri Veseli, i është përgjigjur Ambasadorit Amerikan në Berlin, Richard Grenell në lidhje me taksën 100% ndaj mallrave serbe.

Shefi i PDK-së e ka quajtur dje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gënjeshtar.

“Zotëri Ambasador, Albini është gënjeshtar. Propozimi im për taksën është shumë i qartë qysh prej janarit 2019. Albini nuk e ka mbështetur dhe ka bërë fushatë kundër tij. Unë jam i shqetësuar me nxitimin e qeverisë së re për t’u marrë me këtë çështje pa një plan konkret, i cili e vendos interesin më të mirë të Kosovës në rend të parë”, ka shkruar Kadri Veseli në llogarinë e tij në Twitter.

Është bërë një vit e gati tre muaj që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës që Serbia e kishe organizuar për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

Mirëpo, ky vendim i qeverisë Haradinaj u shoqërua me një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për heqjen e kësaj tarife.

Taksa paralizoi procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.