Kurti para takimit të Ohrit: Pa nënshkrim s’ka marrëveshje
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në prag të takimit në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratën e këtij të fundit se nuk do të nënshkruajë kurrfarë marrëveshje.
Kurti në një intervistë për Alsat M ka thënë se pa nënshkrim nuk mund të ketë marrëveshje, ndërsa ka ritheksuar qëndrimin e tij se në Ohër palët duhet të shprehin shpresën dhe optimizmin për normalizimin e marrëdhënieve.
Kreu i ekzekutivit thekson se në takim do të jetë i përkushtuar e konstruktiv, teksa shton se nuk mund të garantojë të njëjtën për palën serbe.
“Unë nuk mendoj se kjo është qasje konstruktive dhe njëkohësisht nuk mendoj se dëshmon përkushtim. Ne kemi nevojë të shprehim shpresën dhe optimizmin tonë për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”- ka thënë Kurti.
“Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen mirëpo nuk mund të them se pa nënshkrim do të mund të quhet marrëveshje me gjithë mend andaj po e ritheksoj që do jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet qëllim dhe besim të mirë por natyrisht nuk mund të garantoj këtë për palën tjetër”- shton ai.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilin ai rithekson thotë se kjo çështje duhet të diskutohet me durim dhe vullnet të mirë në dialog, përfshirë edhe takimin në Ohër, teksa kujton se e njëjta marrëveshje nuk e kaluar testin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Nuk e mohoj Asociacionin që është një dakordim paraprak, mirëpo në anën tjetër nuk mund ta nxjerrim siç themi ne “Qerren para kalit”, por duhet të kemi parasysh që marrëveshja e Asociacionit nëse është e veçantë, është në kuptimin që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses në Kosovë, jo dy apo tri por 23 nuk janë në përputhje me të”- deklaroi Kurti.
“Jam i interesuar përveç se i gatshëm në diskutimet për këto modele të cilat në njëfarë mënyrë synojnë që ta bëjnë më konkrete atë çfarë e kemi në nenin 7 të marrëveshjes bazike që quhet vetmenaxhim i komunitetit serb në Kosovë, ky është tog fjalësh apo fraza që përdoret dhe pse jo të diskutohet. Unë nuk jam për shkelje të të drejtave të njeriut”- është shprehur Kurti teksa ka folur për modelet e propozuara nga ndërmjetësuesi i dialogut, Mirosllav Lajçak për formimin e Asociacionit.
Më tej, kryeministri tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Ajo që na ofron kjo marrëveshje bazë e që nuk është marrëveshje finale, është njohja de facto që është hap përpara, jam i interesuar për dakordim e që na qojnë përpara dhe është një platformë solide dhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme por sigurisht kam thënë që Asociacioni duhet të kemi parasysh se nuk duhet të jetë kundër Kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë, nuk mund të jetë monoetnik”- theksoi ai.
Po ashtu, Kurti deklaroi se “nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe, në kohën kur Beogradi përditë e përsëritë se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës”.
“Nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe, në kohën kur Beogradi përditë e përsëritë se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Unë e kam thënë edhe nëpër takime se të kërkosh çfarëdo Asociacioni ndërkohë që nuk e pranon shtetin, është sikur të kërkosh kafe pa filxhan”- tha Kurti.
Të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të mbahet një takimmes të kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Gjatë këtij takimi pritet të arrihet edhe marrëveshja për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim e raporteve Kosovë-Serbi.