Kurti, Osmani e Konjufca bëjnë homazhe te varret e dëshmorëve të komunës së Prishtinës

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme kanë bërë homaxhe te varrezat e dëshmorëve të komunës së Prishtinës.

Përveç krerëve të lartë të shtetit, homazhe sot kanë bërë edhe familjarët e dëshmorëve.

Nga këto homazhe, Kurti e Osmani kërkuan drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se dëshmorët bashkojnë popullin.

“Sot bëmë nderime te varret e dëshmorëve të kryeqytetit të cilët luftuan për liri dhe ranë heroikisht që të ngritet edhe kauza jonë e më pas të vijnë çlirimi, liria e pavarësia, andaj kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata dhe t’i kujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet për lirinë e pavarësinë që kemi sot, por të njëjtën kohë për të përkujtuar idealin e tyre dhe të punojmë për progres e mirëqenie”, tha Kurti pas homazheve.

Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk do të ketë qetësi nëse nuk ka drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë.

“Sot përkujtohet Dita e Dëshmorëve të Prishtinës por edhe martirëve të Gollakut, ku mes këtyre ditëve ishin viktima të gjenocidit serb i cili edhe njëherë e tregoi mizorinë e tij duke mos kursyer edhe fëmijët edhe pleqtë. Edhe sot nga këtu të gjithë se bashku ngrisim zërin në kërkesën tonë për drejtësi për viktimat të gjenocidit sepse ndërgjegjja jonë si popull asnjëherë nuk do të jetë e qetë përderi sa nuk do të ketë drejtësi për secilën viktimë të luftës në Kosovë”, tha Osmani.