Kurti ofroi mbështje Atiqit dhe kabinetit të tij për adresimin e kërkesave që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi mirëpritën sot më 05.09.2024 në Ballkonin e Hapur, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren, Katarina Adançiq dhe drejtorë të kësaj komune.

Kështu bëhet e ditur përmes komunikatës së zyrës së kryeministrit ku thuhet se në takim është diskutuar rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në veri të vendit dhe për projekte të reja për çka është e nevojshme mbështetja e Qeverisë.

“Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Adançiq, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve”- thuhet në komunikatë.

Temat qendrore që u diskutuan ishin qeverisja komunale, arritjet dhe sfidat poashtu edhe bashkëpunimi me nivelin qendror.

“Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut”- thuhet tutje në komunikatë.