Foto; Arjana Berisha/KALLXO.com

Kurti nuk merr pjesë në takimin me presidenten për caktimin e datës së zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri Albin Kurti nuk po merr pjesë në takimin që po mbahet nga presidentja Vjosa Osmani me liderë të partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Në vend të Kurtit, kryeministri Kurti ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”- tha Kryeziu.

Takimi ka nisur, megjithatë Glauk Konjufca ende nuk është parë i pranishëm. Në takim më Osmanin janë parë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryeziu tha se arsyeja pse Kurti nuk është pjesë e këtij takimi është sepse po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, aty ku është i ftuar si mysafir nderi. 

“Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave”- tha Kryeziu.