Albin Kurti, Foto: LVV/FB

Kurti: Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 15.09.2024 ka folur për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 09.02.2025.

Sipas Kurtit, nuk kanë pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani.

Kurti ka thënë se rezultati i shkurtit 2021 duhet të përsëritet e të tejkalohet.

“Tani për të dalë te zgjedhjet që kemi përpara: nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për t’u përgatitur për zgjedhje se sa tani. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë mbështetje nga populli sesa tani. Andaj edhe rezultati i shkurtit 2021, duhet të përsëritet, e të tejkalohet”- është shprehur ai gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Grave për Vetëvendosjen.

Gjatë fjalimit ai ka folur për barazinë gjinore duke theksuar se “kur vjen puna te Parlamenti e Qeveria, lirisht mund të krenohemi me përparimin që Kosova ka pasur”.

“E megjithëkëto, nuk mjafton të kërkojmë më shumë gra në parlament apo më shumë gra ministre, nëse nuk ngulmojmë njëkohësisht për më shumë politika që mbështesin të gjitha gratë”- ka thënë ai.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 09.02.2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14.02. 2021, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend.

LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.334 vota, PDK-ja 148.296, LDK-ja 110.978 dhe AAK-ja 62.111 vota.