Kurti: Nuk kemi nevojë për kompromise, do t`i kemi 61 vota

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti tha se partia e tij i ka votat për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Gjatë një konference në Tiranë, i pyetur nëse do të bëjë koalicion me ndonjë nga partitë kosovare ose Listën Serbe, Kurti u shpreh i bindur që nuk do të kenë nevojë për një kompromis të tillë.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e do të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti para gazetarëve në Tiranë.

Zgjedhjet e parakohshme paralamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt, sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.