Kurti: Nuk kam marrë ende ftesë nga Borrell për takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka marrë ftesë për takim nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti në një konferencë për media tha se kurdo që do të ketë një ftesë të tillë, do ta trajtojë me një “qasje pozitive”.

“Unë nuk kam marrë ftesë nga zëvendës presidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë i BE–së, Josep  Borell. Kur ta kem një ftesë të tillë, patjetër që do ta trajtoj me përkushtimin të madh dhe padyshim me një qasje pozitive, por nuk ka një ftesë të tillë ende. Mund ta ketë menduar zotëri Josep Borell, por në postën e Kryeministrisë nuk ka ardhë ndonjë aso ftese”, u shpreh kryeministri Kurti.

Më 16 maj, shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas një takimi në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha që një takim i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq mund të ndodhë para verës.

“Ne shpresojmë që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, tha ai.

Deri më tani në Bruksel në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar disa takime, ndërsa në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë zhvilluar vetëm dy takime.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.