Kurti nuk ka informacion për ndërhyrjen e mundshme të KFOR-it në veri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nuk është i informuar për ndërhyrje të mundshme të KFOR-it në veri.

Ai në konferencën e sotme me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama tha se ka diskutuar me gjeneralin e KFOR-it për situatën atje.

“Ne diskutuam me gjeneralin e KFOR-it për situatën e sigurisë në veri. Ne shkëmbejmë informacion me ta. Unë nuk kam ndonjë informacion për përgatitje të KFOR-it për ndërhyrje. Dje kam biseduar edhe me Sekretarin e Nato-së. Ne jemi të gatshëm për të shkuar në Bruksel”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje potencoi se Komandanti i KFOR është në diskutim me kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Ka një javë që rrugët drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar si shkak i masës së reciprociteti pë targa të makinave.