Kurti: Nuk jemi Qeveri që bën dialog me Serbinë pa bërë dialog me Kuvendin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk do të ulen në tavolinë për dialog me Serbinë pa bërë fillimisht dialog të brendshëm, në Kuvendin e Kosovës.

“Ne nuk jemi qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë këtë dialog me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pa u përgatitur mirë”, tha ai para mediave tek shpalosi programin qeverisës.

Kurti po ashtu ka theksuar se dakordimet e arritura deri më tani në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të shërbejnë si një skenim para se të marrin hapa të mëtutjeshëm.

“Po besoj që jeni në dijeni edhe për numrin e marrëveshjeve të arritura. Nuk është se ka ndonjë dakordim, por kjo nuk është pjesa më e vështirë e dakordimit, thuhet se janë 15 deri 53 marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, disa janë quajtur dakordime, por si do që të jetë këtë korpus të këtyre marrëveshjeve, shkallën e tyre të zbatimit, duhet të kemi si një lloj skanimi si një lloj grafie të kësaj para se të marrim çfarëdo hapa të mëtutjeshëm”, ka theksuar ai.

Kurti ka theksuar se më 18 maj do të ketë një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell.

“Sa i përket temave të diskutimit, ato mund të vijnë në shprehje vetëm kur të pajtohen të dy palët, pra nuk mund të ketë tema të cilat janë të vetëm njërës palë, por kemi disa gjëra të tjera pastaj. Në njërën anë është diskutimi jonë i brendshëm edhe me kryetarët e partive politike opozitare edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku jemi bashkë”, tha kryeministri.

Kurti: Nuk do lejojmë të kemi qytetarë në varfëri ekstreme