Kurti: Nuk jemi hakmarrës, por kërkojmë drejtësi

Kryeministri Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore me rastin e masakrës së 3-4 shkurtit të vitit 2000, ka thënë se do të qëndrojnë afër familjarëve të viktimave të rënë në këtë ditë.

“Ne si shtet i Kosovës ju kemi shumë borxh këtyre familjarëve të cilët kanë paguar çmimin e lirisë edhe pas çlirimit dhe njëkohësisht janë dëshmi e gjallë se plagët tona mbeten të hapura. Ne duhet të qëndrojmë e do të ju qëndrojmë pranë këtyre familjarëve të cilët sot kanë dhimbje e pikëllim sepse i kujtojnë me shumë mall më të dashurit e tyre”, ka thënë Kurti.

“Lë t’i përkujtojmë pra sot Bashkim Rrukecin, Muharrem Sokolin, Nezir Vocen,Shqipe Vocen, Selime Berishën, Remzije Canhasin, Nderim Ajetin, Sebaha Abrashin, Nexhmije Xhaken, Niman Selmin. Këta janë 10 qytetar vëllezër dhe motra tanë të cilët mëngjesi i 4 shkurtit të vitit 2000 i gjeti të vrarë, të masakruar e të therrur nga formacionet të cilët asaj kohe njiheshin si rojet e urës si paramilitar të cilët kishin ngelur aty nga koha e regjimit të Millosheviqit”, ka shtuar Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se zbardhja e rastit të tyre nuk është hakmarrje, por drejtësi.

“Në nuk jemi njerëz të hakmarrjes as ky tubim përkujtimor, as ne me mendjet dhe zemrat tona nuk ka dëshirë për hakmarrje, mirëpo ka dëshirë për drejtësi, ka nevojë për drejtësi, ka kërkesë për drejtësi dhe këtë nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari. Mitrovica është një vend i rëndësishëm i kulturës i historisë por edhe i pasurisë tonë, është vendi  i Trepçës por është vendi edhe i plagëve tona të cilat vazhdojnë të kullojnë”, ka thënë Kurti.

“Që kjo të ndryshohet është e rëndësishme që t’ju qëndrojmë pranë familjarëve dhe drejtësia të veproj ndaj atyre të cilët këta qytetarë tanë të pambrojtur e të pafajshëm i vranë pa mëshirë në atë natë tragjike e famëkeqe”, theksoi Kurti.

Në 20 vjetorin e këtyre ngjarjeve, të martën në Mitrovicë nën organizimin e komunës dhe KLMDNJ u organizua akademi përkujtimore për viktimat e kësaj masakre.

Përveç familjarëve të viktimave, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, asamblistët e qytetarë – familjarë.