Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama Foto: ZKM

Kurti nuk flet për ‘Ballkanin e Hapur’, Rama thotë se kjo temë ‘nuk na ndanë’

Dy shefat e qeverive shqiptare, Albin Kurti nga Kosova dhe Edi Rama nga Shqipëria nuk pajtohen për iniciativën rajonale “Ballkani Hapur”.

Derisa Kurti nuk është deklaruar për këtë temë, Rama ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është tema që i ndanë.

“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore. Vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues midis njëri-tjetrit. Prandaj, edhe mbledhja e këtillë është një mbledhje midis Kosovës dhe Shqipërisë që t’i forcojmë dy shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë për interesin e tyre”, tha Kurti para gazetarëve të hënën në Prishtinë.

“Për “Ballkani i Hapur”, ajo është e një dimensioni tjetër, nuk është çështje bilaterale, jo midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe për atë nuk kam asgjë të re për të ju thënë”, tha Albin Kurti.

Në anën tjetër, Rama tha se kjo temë nuk do i pengoi që të bashkëpunojnë me Kosovën.

“Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon por ama është po aq e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na ndanë. Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme”, tha kryeministri shqiptar.

“Çdo gjë që ne jetësojmë në “Ballkanin e Hapur” do të jetësojmë edhe me Kosovën…”deklaroi tutje Rama.

Dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, sot në Prishtinë lidhën 19 ujdi, protokolle e memorandume në disa fusha të ndryshme.