Kurti nuk e ndërron mendjen, thotë se tarifa duhet të hiqet gradualisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se opsioni i tij për heqjen e tarifës është më i miri për Kosovën dhe më i mençuri.

“Besoj që zgjidhja që kam ofruar unë është më e mira, më e drejta, më e mençura. Ka zëra të ndryshëm gjithandej spektrit politik dhe unë jam i interesuar që ta kem një qëndrim unanim në qeveri që do të bëhet unanim. Preokupimi im kryesor si kryeministër është programi qeverisës. Tash e kemi edhe projektligjin për buxhetin për vitin 2020. Nuk mund të zgjohem në mëngjes dhe të bie në mbrëmje me çështjen e tarifës sepse kam shumë punë si kryeministër i Kosovës. Kam kërkuar para se të shkoj në Konferencën e Sigurisë në Munih që të kemi një takim, ai është përgjigjur shumë më vonë”, është deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se është duke u takuar vazhdimisht me ambasadorin e ShBA-së, Philip Kosnett dhe mendon se ShBA është aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Ai theksoi se heqja e tarifës pa reciprocitet do të ishte gabim.

“Kam takime të rregullta me Ambasadorin Kosnett të cilin e vlerësoj shumë. Dua të bashkëpunoj me SHBA-të, mendoj që janë një aleat i pazëvendësueshëm i yni. Në takimin që kishim dje kemi diskutuar në njërën anë për reformat që do t’i ndërmarrim, për ndërprerjen e kësaj gjakderdhjeje financiare. Ai ka shprehur edhe qëndrimin sa i përket tarifës dhe unë i kam dëgjuar me vëmendje por kam shprehur se heqja e tarifës pa e vendosur reciprocitetin është gabim. Nuk jam ekstremist dhe i kundërshtoj ekstremizmat dua të kem qëndrim normal e qëndrimi normal është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet. Edhe mundësia e kundërshtimit të Qeverisë nuk janë pyetje për mua, unë jam këtu që të punoj dhe do t’i shërbej popullit që ka vendosur për këtë ndryshim të madh politik”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të vazhdueshme nga ShBA, specifikisht i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell që i ka kërkuar Kurtit që taksën ta heq të plotë dhe menjëherë.

Dje, edhe Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova si përgjigje ndaj mbajtjes së taksës.

Djali i Donald Trump: Koha për t’i kthyer trupat ushtarake nga Kosova