Albin Kurti - Isa Mustafa

Kurti: Nuk e kam thirrë në takim Mustafën sepse nuk e ndërroj vendimin për Agim Veliun

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pyetur nga deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi se pse nuk e ka njoftuar Kryeparlamentaren Osmani për shkarkimin e Agim Veliut.

Kurti në seancën e Kuvendi për rrëzimin e qeverisë, ka thënë që e ka njoftuar Isa Mustafën por nuk është takuar me ta sepse vendimi i tij ka qenë i prerë për shkarkimin e ministrit Veliu.

“Edhe kryetarin e LDK-së edhe Kryeparlamentaren i kam njoftuar pak para se të bëjë shkarkimin, por nuk kam mundur me i thirrë në takim, sepse më nuk e ndërroj vendimin . Është ofendim me të thirrë në takim kur nuk e ndërroj vendimin, unë thërras takim kur ka mundësi me bo dialog e me gjet kompromis. Nuk mund të bëj kompromis kur dikush në mesnatë ia mban hisen Presidentit pikërisht në natën kur është tentu puçi”, tha kryeministri.

Kuvendi është duke vazhduar diskutimet për mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti, mocion ky i iniciuar nga LDK.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.